
Deklaratë e përbashkët për shtyp · 23 organizata të shoqërisë civile, përfshirë YPN · Shqipëri, tetor 2026
Përballë përshkallëzimit të tensioneve dhe raportimeve për të lënduar gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, organizatat nënshkruese të shoqërisë civile bëjnë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë përparësia absolute.
Protesta paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës, neni 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Pjesëmarrësve u bëhet thirrje të protestojnë paqësisht, pa sulme ndaj personave dhe pa shkatërrim të pronës. Autoritetet kanë detyrimin të lehtësojnë protestën paqësore, të ulin tensionet dhe të parandalojnë lëndimet: çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, rreptësisht i nevojshëm dhe proporcional, dhe aktet e dhunës së individëve të veçantë nuk justifikojnë ndërhyrje pa dallim ndaj protestuesve paqësorë.
Deklarata kërkon ndihmë të menjëhershme mjekësore për çdo të lënduar, mbrojtje të posaçme për të miturit, respektimin e të drejtave të çdo personi të ndaluar dhe hetim të shpejtë, të pavarur e të paanshëm të çdo pretendimi për dhunë apo përdorim të paligjshëm të forcës. Përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit u bëhet thirrje të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik.
Nënshkruese: Civil Rights Defenders Shqipëri, SCiDEV, Rrjeti AWEN, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Qendra “Faktoje”, BIRN Albania, Rrjeti Erasmus Tirana, Citizens.al, Qendra Amfora, Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, PPNEA, Partners Shqipëri, QSKN, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Rrjeti INAC, Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (ASHG), Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN), Fondacioni ‘Së Bashku’, CoPlan, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Organizata ‘Përtej Barrierave’, Qendra EDEN dhe Shoqata “New Impact”.
Lexoni deklaratën e plotë këtu.
English version: Stop the violence, protect lives and uphold the right to peaceful protest!