THIRRJE PËR PJESËMARRËS

Qendra e Qytetarisë Aktive Rinore Tiranë (TRACTION HUB)

Kjo thirrje u drejtohet të rinjve në qarkun e Tiranës, Shqipëri, të cilët dëshirojnë të jenë qytetarë aktivë duke mësuar më shumë mbi vlerat evropiane, qytetarinë aktive, demokracinë rinore si dhe janë të gatshëm të aktivizohen duke projektuar dhe zbatuar aktivitete në komunitetet ku jetojnë.

 

Përshkrimi i projektit

Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN) synon që të ofroj mundësi për zhvillim profesional dhe personal të të gjithë të rinjve dhe me një fokus të veçantë të rinjve që jetojnë në bashki të vogla dhe zona rurale. Si vazhdimësi, kemi kënaqësinë të shpallim thirrjen për pjesëmarrës në programin “TiRana ACTIve yOuth citizeNship HUB”/ TRACTION HUB.

 

Kjo hapësirë do ti shërbejë si fillim 20 të rinjve për aftësim personal dhe zhvillim të koncepteve të qytetarisë aktive për të qenë më të angazhuar në komunitetet ku jetojnë. Duke ndikuar në këtë mënyrë në zhvillimin e mundësive të barabarta për të rinjtë në zonat rurale dhe urbane në linjë edhe me moton e Objektivave të Zhvillimit të OKB-së “Mos të lëmë asnjë pas” si dhe disa nga qëllimet e Strategjisë Evropiane të Rinisë (2019-2027) “Lëvizja e Rinisë Rurale përpara” dhe  “Lidhja e BE-së me Rininë”.Ky projekt mbështetet nga Fondacioni Robert Bosch Stiftung dhe iac Berlin dhe zbatohet nga Rrjeti i Profesionistëve të Rinj.

 

Thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri në datën 12 Nëntor 2021

 

Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje pritet që të rinjtë pjesëmarrës të jenë në gjendje:

  • Të njohin vlerat evropiane, proceset demokratike, qytetarinë aktive dhe format se si mund të financojnë idetë e tyre;
  • Të ndërmarrin aktivitete në nivel lokal në dobi të komunitetit, nën mentorimin e YPN-së;
  • Të krijojnë grupime rinore aktive në zona rurale të përzgjedhura;
  • Të jenë më të përfshirë në proceset lokale vendimmarrëse dhe advokuese.

 

Kriteret e përzgjedhjes:

Për të qenë pjesë e kësaj ndërhyrjeje të rinjtë duhen të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • Të vijnë nga zona që janë pjesë e bashkive: Tiranë, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Vorë;
  • Janë ndërmjet moshës 15 deri në 25 vjeç;
  • Kanë dëshirë të zhvillohen dhe të mësojnë më tepër mbi qytetarinë aktive dhe demokracinë;
  • Të tregojnë gatishmërinë për të zhvilluar aktivitete në komunitetet ku jetojnë nën mentorimin e YPN-së;
  • Numri maksimal i pjesëmarrësve: 20

 

Për vëmendjen tuaj: Ne jemi në kërkim të të rinjve të apasionuar pas qytetarisë aktive dhe zhvillimit të demokracisë dhe që janë të motivuar për të vazhduar angazhimin nga zonat e përzgjedhura, si pjesë e YPN.

Plani i aktiviteteve:

  • Thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri në datën 12 Nëntor 2021;
  • Përzgjedhja e aplikimeve dhe intervistave do të bëhet përgjatë datave 11-14 Nëntor 2021;
  • Një trajnim dy-ditor mbi vlerat evropiane, qytetarinë aktive, demokracinë rinore, financimin e fushatave, projektimin e aktiviteteve të vogla, do të kryhet në datat 20 dhe 21 Nëntor;
  • Ndërtimi i ekipit dhe hartimi i aktiviteteve të vogla lokale do të bëhet në 26 Nëntor;
  • Gjatë një periudhe 3-mujore, ekipet e krijuara do të kenë mundësinë të zbatojnë aktivitetet e projektuara. Mentorët e YPN do të ndihmojnë udhëheqësit e ekipeve gjatë gjithë procesit;
  • Takimi final do të mbahet në Shkurt 2022, ku ekipet do të ndajnë rezultatet e aktiviteteve të realizuara.

 

Datat dhe vendi

Aktivitetet do të zhvillohen gjatë një periudhe kohore nga nëntori 2021 – shkurt 2022 në një formë hibride: online dhe offline.

Trajnimet do të mbahen pranë Qendrës Stephan, Tiranë, Shqipëri.

 

Kostot

Vendi, pushimet e kafesë dhe drekat do të mbulohen nga organizatorët.

 

Udhëtimi

Udhëtimi do të organizohet nga vetë aplikantët. Shpenzimet e udhëtimit nga destinacioni i nisjes për në vendngjarje në Tiranë do të rimbursohen vetëm për transportin publik.

Rimbursimi për pjesëmarrësit bëhet në fund të seminarit. Pjesëmarrësit duhet të jenë të pranishëm të paktën 80% të seminareve në mënyrë që të marrin rimbursimin.

 

Sigurimi

Fondacioni Robert Bosch Stiftung, iac Berlin dhe Rrjeti i Profesionistëve të Rinj (YPN) nuk marrin përgjegjësi për ndonjë rrezik që mund t’u ndodhë pjesëmarrësve gjatë udhëtimit të tyre, ose gjatë qëndrimit të tyre në vendin e ngjarjes, në Shqipëri.

 

Gjuha

Gjuha e përdorur gjatë gjithë projektit do të jetë shqip.

 

Afati i aplikimit

Kandidatët duhet të plotësojnë aplikimin online dhe ta dorëzojnë atë jo më vonë se data 12/11/2021.

 

SHËNIM: Organizimi i takimeve do të marrë parasysh të gjitha rregullat në lidhje me pandeminë Covid-19.

Për të aksesuar formën e aplikimit klikoni këtu


© 2021 Young Professionals Network. All rights desirved.

Web Design & Development by adesign.al